34-vjeçari do të qëndrojë në arrest me burg

Ky është 34-vjeçari Erdet Çapoku, i cili 2 ditë më parë i mori jetën kunatës së tij pasi e goditi me një shkop druri në banesën e saj në Paskuqan në periferi të Tiranës.

Ai doli këtë të dielë para gjykatës penale për t’u njohur me masën e sigurisë. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura me kërkesë të Prokurorisë, ai tha se nuk e kujtonte mirë ngjarjen, por theksoi se kishte investuar për kunatën dhe mbesën, pasi vëllai i tij ishte dënuar me 10 vjet burg, por ato nuk e kishin mbështetur asnjëherë.

Ai nuk ka dhënë shumë detaje për ngjarjen duke u shprehur se nuk ishte në gjendje të kujtonte. Në sallë mungonin familjarët e tij, ndërsa u mbrojt me një avokat të caktuar kryesisht. Mbrojtja kërkoi një masë 30-ditore me burg deri në kryerjen e aktit të ekspertimit të gjendjes së tij mendore, por gjykatësi Lazër Sallaku pranoi kërkesën e Prokurorisë për ta lënë në burg pa afat.

Mesnatën e 9 Janarit, Erdet Çapoku shkelmoi derën e banesës ku jetonte Enkeleda Çapoku me nënën e saj dhe dhunoi me sende të forta 30-vjeçaren e cila humbi jetën për shkak të plagëve. 34-vjeçari akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.

Tv Klan