Xhamia e Thumanës do të shembet për shkak të dëmtimeve nga tërmeti (Video)

Xhamia e Thumanës do të shembet për shkak të dëmtimeve nga tërmeti (Video)

19:34 30/11/2019

Myftiu i Krujës: Momentalisht besimtarët po falen në oborr por fokusin e kemi tek ndihma për banorët e dëmtuar nga tërmeti

Lëkundjeve të forta të tërmetit nuk i ka shpëtuar as xhamia e Thumanës, e cila ka dalë jashtë funksionit. Tvklan.al ishte në ambientet e kësaj xhamie të ndërtuar në vitin 1993. Ka arritur të qëndrojë në këmbë, por ka kaq shumë dëmtime sa është mbyllur për besimtarët, të cilët në pamundësi për të kryer ritet e tyre fetare brenda saj, i bëjnë ato në ambientet e oborrit, ku janë shtruar batanije.

Për tvklan.al Myftiu i Krujës, Erjol Haxhiu tregon se pas vlerësimit të inxhinierëve është vendosur që xhamia të mos përdoret, pasi paraqet rrezik për besimtarët. Ajo do të prishet plotësisht dhe do të rindërtohet nga fillimi.

“Unë jam Erjol Haxhiu, Myftiu i Krujës, përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për rrethin e Krujës. Kjo xhami është krijuar në vitin 1993. Momentalisht është jashtë funksionit sepse ka dëmtime strukturale dhe nuk është e hapur për kohën e namazeve dhe për shërbimet e përditshme fetare. Ka qëndruar në këmbë, nuk është se është rrëzuar. Mirëpo mendimi i inxhinierëve që e kanë parë, është që të mos përdoret sepse ka rrezikshmëri. Do të prishet plotësisht dhe do të rindërtohet nga fillimi. Ndërtesa është thjesht për të ruajtur diçka të vogël momentale (për magazinim ushqimesh), por për ritet fetare nuk e kemi përdorur. Ka besimtarë që falen vazhdimisht, 5 kohët e vakteve në ditë. Kemi shtruar batanije jashtë dhe i po i kryejnë ritet fetare në ambientet e oborrit”.

Myftiu thotë se xhaminë do ta rindërtojë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, ai shprehet se do të bëhet thirrje për ndihma financiare për personat e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Është kontaktuar me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, të cilët po merren me këtë punë dhe do ta rindërtojnë xhaminë. Në të gjithë xhamitë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë do të bëhet lutje për viktimat e tërmetit dhe për familjarët e tyre. Në të njëjtën kohë do të bëhet dhe thirrje për ndihmë financiare për të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti”./tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi