kobaniIntensifikimi i sulmeve ajrore amerikane ka ndalur avancimin e Shtetit Islamik në qytezën siriane të Kobanit.

BBC citon përfaqësuesit e kurdëve të këtij qyteti, të cilët thonë se ditët e fundit, Shteti Islamik ka në kontroll 20% të Kobanit.

Në kulmin e avancimit të tyre, xhihadistët shtrinë kontrollin e tyre në 40% të qytetit.

Përfaqësuesit e militantëve kurdë kërkojnë më tepër mbështetje nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ndërkombëtare, në betejën e tyre kundër xhihadistëve.

Sipas tyre, marrja e Kobanit, qytetit kufitar me Turqinë dhe një pikë strategjike për Shtetin Islamik është një objektiv parësor për xhihadistët.

Zëdhënësi i departamentit të mbrojtjes Xhon Kirbi tha se qindra militantë të Shtetit Islamik ishin vrarë gjatë orëve të fundit nga sulmet ajrore amerikane në Koban.

Lajmi vjen menjëherë pas videokonferencës mes presidentit amerikan Barak Obama dhe udhëheqësve të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të cilët ranë dakort për të trajnuar forcat e moderuara lokale në Siri dhe ushtrinë e  Irakut, në luftën kundër xhihadistëve.

Në Irak, Shteti Islamik ka intensifikuar ofensivën në provincën al Anbar dhe Bagdad.

Ata ndodhen 40 kilometra larg kryeqytetit.

Ministria irakene e Mbrojtjes publikoi pamje të rraketahedhësve të rinj që po përdor ushtria për të ndalur avancimin e militantëve ekstremistë suni.

Tv Klan