Zaev: Optimist se BE do ta përmirësojë gabimin

Zaev: Optimist se BE do ta përmirësojë gabimin

17:50 24/11/2019

“Procesi i Vettingut i domosdoshëm në të gjitha institucionet”

Kryeministri Zoran Zaev shpreson se Bashkimi Evropian do ta përmirësojë “gabimin historik” dhe sa më shpejt që të jetë e mundur do të vendosë pozitivisht sa i përket caktimit të datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Ai thekson se vendi nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë tjetër përpos integrimit euroatlantik, por vendimi negativ, sipas tij, ka rritur dozën e dëshpërimit, por jo edhe vendosmërinë për të vazhduar në këtë rrugë.

“Gjithsesi se dëshpërimi është i pranishëm te të gjithë qytetarët, është i pranishëm edhe tek unë për shkak se Bashkimi Evropian nuk mori vendim pozitiv. Mbetemi me shpresë se këtë gabim do ta përmirësojnë, është një gabim historik, edhe pse të gjithë liderët evropianë, përfshirë edhe Presidentin francez Macron, janë të mendimit se ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet, por thanë se ende i duhet kohë. Do t’i shohim këto procese, por kjo neve nuk na dekurajon që të vazhdojmë me reformat”, thotë Kryeministri Zaev.

Ndaj akuzave të opozitës maqedonase se ai është koka në rastin ‘ZHVATJA’ dhe në pyetjen nëse është e mundur e gjithë kjo të ndodhë pa dijeninë e tij, Zaev thekson se nuk e ka ditur dhe se ka përfunduar koha kur Kryeministri Gruevski kishte kontroll ndaj të gjithë proceseve në vend dhe se ai vetë e ka paraqitur rastin.

 “Nuk mund të ndodhë pa dijen e Kryeministrit nëse kryeministri është autokrat dhe nëse ka kontroll ndaj të gjitha proceseve në shtet. Një gjë e tillë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të dilte në sipërfaqe nëse do të ndodhte në kohën e Nikola Gruevskit. Në raste të tilla zakonisht kreu i pushtetit do t’i mblidhte paratë, por tani Kryeministri e paraqet rastin, unë vetë e paraqita rastin dhe kjo u tha qartë dhe nga Prokuroria edhe nga të gjithë. Zoran Zaev është paraqitësi i rastit, Zoran Zaev nuk është nën hetime, nëse ka çfarëdo qoftë lidhur me këtë rast, dëshiroj të zbardhet”.

Kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk ka përjashtuar edhe një mundësi tjetër, atë të rizgjedhjeve së gjyqtarëve, por vetëm pasi më parë të jetë zgjedhur kuadër i mjaftueshëm për të zëvendësuar eventualisht ata që mund të përjashtohen për shkak të keqpërdorimeve të ndryshme. 

Sa i përket zgjedhjeve të 12 Prillit, Zaev beson se do të jenë të lira dhe demokratike dhe se nuk do të ketë nevojë për apele nga bashkësia ndërkombëtare. Ai shprehet i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të dalë fitues.

Tv Klan


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi