Zbardhet dinamika e vrasjes së Xhulio Prelës



Zbardhet dinamika e vrasjes së Xhulio Prelës

15:47 06/12/2020

Dyshime se i njihte autorët, u telefonua para vrasjes

Ekspertët e kriminalistikës në Policinë e Shtetit kanë rindërtuar skemën e vrasjes së efektivit të FNSH-së në Shkodër, Xhulio Prela.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, rezulton se pasi ka çuar shokun e tij nga Rinasi në banesë, Xhulio Prela po udhëtonte drejt Tiranës.

Pikërisht pranë fshatit Gajush, në krahun e kundërt të rrugës në superstradën Lezhë-Shkodër, i është bërë shenjë të ndalojë. 26-vjeçari ka ecur pak metra dhe është kthyer mbrapsht, aty ku qëndronte një automjet tjetër.

Nga kqyrja e kamerave të sigurisë së një biznesi shihet se pasi është afruar Xhulio Prela ka hapur xhamin e pasagjerit dhe po bisedonte me një person, ndërkohë që një tjetër ka hapur zjarr ndaj tij.

Hetuesit dyshojnë se efektivi i FNSH-së i njihte autorët. Pak momente para vrasjes, Xhulio Prela ka marrë një telefonatë, që nuk përjashton mundësinë që të ketë qenë e njërit prej atentatorëve.

Policia ka në dorë pamjet filmike të vrasjes, por një kamion që ndodhej i parkuar në zonë, i pengon për të identifikuar autorët dhe makinën e tyre.

Pas vrasjes autorët janë larguar drejt Laçit dhe pa mbërritur ende në Milot janë futur në një rrugë dytësore, aty ku kanë humbur edhe gjurmët për policinë. Dyshohet se autorët e njihnin zonën.

Pista kryesore e hetimeve është vrasja për shkak të detyrës. Për këtë shkak ekspertët do të kontrollojnë me detaje telefonin e 26-vjeçarit, pasi rezulton se ai i fshinte mesazhet.

Shoku nga Anglia që Xhulio Prela e priti në Rinas dhe e dërgoi në Shkodër, ka thënë në polici se ai nuk ka lidhje me ngjarjen. Edhe të shoqëruarit e tjerë kanë dhënë dëshmitë dhe janë lërë të lirë. 

Tv Klan







Të ngjashme