Arrestohen 25-vjeçari dhe 1 vajzë

Ky që shihni në foto është Kristjan Gjini, 25-vjeçari i arrestuar nga policia pasi lëvizte me pistoletë ndërsa në 2 banesa të marrë me qira prej tij uniformat blu u sekuestruan disa armë zjarri. 

Fillimisht i riu nga Laçi është ndaluar në bulevardin ‘Gjergj Fishta’ nga efektivë të repartit ‘Shqiponja’, të cilët pasi kanë ushtruar kontroll fizik nga 25-vjeçarit i kanë gjetur atij një armë zjarri, pistoletë.

Më pas në vijim të veprimeve është ushtruar kontroll në dy banesa të marra me qira nga Kristjan Gjini në njërën prej të cilave qëndronte Françeska Kolgjegja, e dashura e të riut, gjithashtu e vënë në pranga.

Policia gjeti në dy ambientet e marra me qira 4 pistoleta, 2 automatike, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio si ato të Policisë, një thikë, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjetet. 

Ky është arsenali i tretë brenda pak muajsh që është zbuluar në kryeqytet. Më 16 qershor në një vilë në Kodër Mëzez policia zbuloi një bazë armatimi ku bëheshin modifikime të armëve dhe prodhoheshin silenciator. Ndërsa më 21 qershor po në kryeqytet, në garazhin e një pallati, në Liqenin e Thatë, një tjetër arsenal armësh u zbulua dhe në pranga përfundoi një 27-vjeçar.

Tv Klan