“Kjo magazinë e vjetër dy katëshe pas krahëve të mi, në rrugën Hamdi Pepa në zonën e Selitës, ishte përshtatur në një ambient kultivimi kanabisi me llamba, ku policia gjeti dhe sekuestroi 105 bimë narkotikë”, raporton gazetari i Tv Klan, Merin Maçi.

Konkretisht bëhet fjalë për katin e dytë të godinës, e cila nga verifikimet rezulton të jetë privatizuar nga 3 persona.

Ndërsa këto foto janë filmuar nga oficerët e policisë brenda ambienteve ku kultivohej kanabisi.

Për këtë rast të zbuluar, uniformat blu kanë shoqëruar 7 persona, të cilët ka dyshime se kishin dijeni për aktivitetin kriminal që zhvillohej në godinën e vjetër dy katëshe.

Sakaq hetimet vijojnë për të zbuluar se sa kohë kishte kjo godinë që ishte përshtatur në shtëpi bari dhe se kush është personi që drejtonte kultivimin e bimëve narkotike.

Tv Klan