Nëpër korridoret politike qarkullon një tezë për zgjedhje të parakohshme pas disa muajsh dhe krijimin e një qeverie teknike.

Asgjë zyrtare nuk ka rreth këtyre pretendimeve. Por Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp, thotë se në kushtet aktuale nuk ka asnjë mundësi që opozita t’i imponojë mazhorancës një qeveri teknike.

Sipas këtij, këto aludime bëhen për të larguar vëmendjen nga probleme të tjera.

“Mundësi reale që Edi Rama të pranojë qeveri teknik është zero. Opozita shqiptare nuk është në gjendje të imponojë për momentin një qeveri teknike. Prandaj ky është iluzion për të hequr vëmendjen nga diçka shumë më e rëndësishme. Çfarë është kjo gjë shumë e rëndësishme? Ajo pjesë e opozitës që thotë që flet në emër të opozitës, duhet t’i bëjë të qartë shqiptarëve, a është për listat e hapura apo jo? A është për votimin/numërimin elektronik apo jo? A është për votën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë në një mënyrë të besueshme dhe efektive, jo me Postën Shqiptare, apo jo? Dhe a është për barazinë e votës për Shqipërinë një zonë zgjedhore apo jo? Këtu nis serioziteti i çdo komponenti që i thotë vetes opozitës për t’u dhënë shqiptarëve të paktën një ligj, disa garanci, ndërkohë që janë garancitë e tjera që kanë që prej 2022 në Komisionin e Reformës Zgjedhore, që kanë të bëjnë me shit/blerjen e votës, keqpërdorimin e burimeve shtetërore, presionin e administratës, kanë të bëjnë me patronazhistët”, tha ndër të tjera Lulzim Basha.

/tvklan.al