Opinion-Zhvillimet në Partinë Socialiste ishte tema e diskutimit të emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu realizuar më datë 18 tetor 1999.

Për të diskutuar lidhur me këto zhvillime ishin të ftuar disa prej drejtuesve më të lartë të PS në 1999-ën, Kastriot Islami, Namik Dokle, Petro Koçi dhe Arben Malaj  të cilët përfaqësonin dy grupime të ndryshme.

Islami dhe Dokle kishin kontestuar rizhvillimin e Kongresit të 3-të të Fatos Nanos, ndërkohë që Koçi dhe Malaj e mbështesnin.

“Mendoj se kjo është një tryezë për t’i dhënë opinionit publik mesazhet për përgjegjësinë që ka Partia Socialiste. Unë jam përkrahës i vendimeve që ka marrë Kongresi i Partisë. Kongresi i Partisë mbledhur më datë 9-10 kishte disa objektiva. Unë do të konsideroja normale çdo përpjekje, pavarësisht se nga kush ndërmerret që kongresi të përmbushë detyrimet”, tha Malaj.

“Unë do të diskutoj për atë ç’ka është komunikuar publikisht, për mundësinë për të mbledhur Kongresin e Partisë në një seancë përmbyllëse. Kongresi i tretë ka marrë vendime për të zgjedhur institucione të tjera përveç KPD-së dhe kryetarit, ky kongres duhet të mblidhet për të zgjedhur kryefinancierin dhe komisionin e kontrollit të partisë. Pra, është një detyrim që kongresi ia ka vënë vetvetes. Nga pikëpamja praktike do të përmendja vetëm një fakt, nëse KPD e dikurshme mori një vendim për të thirrur kongresin, i cili i voni punimet me vendim të askujt dhe është normale të rimblidhemi në një seancë tjetër”, tha Koçi.

“Statuti tregon se si mund të rimblidhet kongresi dhe është shumë e qartë që kongresi nuk rimbidhet nga kryetari i partisë, i cili ka mohuar ta ketë thirrur ai, por komisioni i drejtuar nga Nazmir Bilani, i cili po ashtu nuk ka të drejtë të mbledhë kongresin. Në bazë të statutit nëse do të kërkohej rimbledhja e kongresit, të drejtën e ka komiteti drejtues. Për sa i përket objektivave janë realizuar të gjitha. Debati është nëse është apo jo legjitim komiteti drejtues”, tha Islami.

“Për mendimin tim nuk ka kontradiktë juridike në gjithë këtë, është gjithçka e qartë. Ky vakum i krijuar në mënyrë artificiale fut forumin e PS në një rreth vicioz. Është e qartë ajo çfarë shkruhet në statut që kur votohet për kandidaturat, votohet mes shumë kandidaturave dhe ka llogari matematike se kush mund të zgjidhet. Ka votim me konsensus dhe votim të fshehtë me numërim votash”, tha Dokle. / tvklan.al