Shqipëria është ndër vendet e fundit në rajon sa i përket njohurive që ka publiku në njohjen e tregjeve financiare. Artan Gjergji është ekspert i kësaj fushe dhe drejtues i një prej bursave të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ai thotë se vitet e fundit shfaqet një interes i publikut për të marrë më shumë fitime nga kursimet e për të investuar në fonde private, por po kaq e rëndësishme për të janë dhe njohuritë që investitori duhet të ketë në mënyrë që të mos bjerë pre e mashtrimeve nga platforma të ndryshme.

Nga një anketim i bërë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, rezulton se mbi 90% e studentëve kanë njohuri të pakta e të pamjaftueshme për tregjet financiare jo bankare.

“Një tjetër aspekt frenues për zhvillimin e tregjeve është niveli i ulët i njohurive financiare tek individët, që në Shqipëri në bazë të studimeve ndërkombëtare është më i ulët se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit. Edhe përqindja e popullsisë në Shqipëri që përdor sistemin financiar rezulton të jetë më e ulët se rajoni.”

Autoritetet kërkojnë edukimin e publikut, duke nisur që nga studentët. Sipas statistikave zyrtare, vlera e aseteve të investuara në fondet alternative, të cilat kanë edhe interesa më të mira se depozitat bankare dhe ofrojnë një portofol më të madh investimesh, arriti në 535 milionë Euro në fund të vitit 2018.

Tv Klan