Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, foli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së parë në kampionat.

Katalanasit do të përballen në transfertë me Valencian, ndërsa për këtë takim nuk do të jetë i gatshëm afrimi i kësaj vere, Dani Olmo.

Flick deklaroi se ylli spanjoll nuk është gati, për shkak se është bashkuar vonë me ekipin, ndërsa theksoi se Lamine Yamal, mund të jetë në fushë.

“Dani Olmo nuk është gati. Ai mbërriti shumë vonë në fazën përgatitore dhe ne duam të kujdesemi për të sepse është e rëndësishme që mos na dëmtohen lojtarët. Kemi lojtarë cilësorë dhe kemi nevojë që ata të stërviten dhe të përgatiten mirë.

Ne kemi 22-23 lojtarë të regjistruar në listë dhe nesër do të aktivizojmë vetëm ata që janë të regjistruar. Dani Olmo nuk është gati për të luajtur nesër, edhe nëse regjistrohet. U bashkua shumë vonë me ne. Të gjithë ata që do të luajnë, duhet të jenë në 100% e tyre. Po, Lamine Yamal mund të luajë nesër.”, deklaroi Flick.

Ndeshja Valencia-Barcelona është planifikuar të luhet të shtunën e 17 gushtit, duke nisur nga ora 21:30. /tvklan.al