Dy shqiptarë janë dënuar nga drejtësia britanike pasi organizuan hyrjen e paligjshme të disa emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë ata përdorën kamionë dhe avionë të vegjël. Sipas asaj që shkruajnë mediat të dy shqiptarët janë dënuar gjithsej me 5 vite e 2 muaj burg.

M. Hilaj, 50 vjeç dhe K. Kadena, 37 vjeç, u arrestuan pas një hetimi 8-vjeçar. Ata ishin pjesë e një grupi kriminal shqiptar që fshihet pas të paktën 9 udhëtimeve të paligjshme të emigrantëve në vitet 2016 dhe 2017. Tre prej tyre u kryen me një avion të vogël.

Sipas autoriteteve, Hilaj ishte koordinator i grupit kriminal në Mbretërinë e Bashkuar. Kadena shërbente si ndihmës i tij dhe ishte i përfshirë në trafikimin e emigrantëve përmes avionëve. Sipas provave të përftuara nga celularët e tyre, mësohet se ata i “taksonin” emigrantët shqiptarë që donin të hynin në Britani me 10 mijë Paund.

Në Britani ata i ndihmonin këta emigrantë me pasaporta, karta identiteti dhe fatura false. Hilaj u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg ndërsa Kadena me 1 vit e 8 muaj./tvklan.al