Arrestohet në Itali, Aleks Ndreka alias Aleksandër Deda apo siç njihet ndryshe “Leksi i Druve”. Lajmi bëhet i ditur nga gazetari Besar Bajraktaraj, i cili thotë se ai është arrestuar në aeroportin e Malpensas në Milano tre ditë më parë.

Ndreka ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” dhe ishte në masën “arrest në burg” në mungesë.

“Si rezultat i informacionit të siguruar për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, nga Policia italiane u mundësua lokalizimi dhe kapja në Milano, Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Aleks Ndreka, 47 vjeç.

47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit Aleks Ndreka, në Shqipëri“, tha edhe Policia e Shtetit në një njoftim për mediat.

“Leksi i druve” është një personazh tejet i njohur për policinë e Lezhës. Ai u ka shpëtuar disa atentateve ndër vite. Fillimisht në vitin 2020 në superstradën Lezhë-Laç, ku mbeti i plagosur. Më pas në Mars 2022, “Leksi i druve” i shpëtoi një tjetër atentati falë xhupit me pupla. Tentativa për ta vrarë ka pasur edhe me dron.

Sipas SPAK, Ndreka ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve për vendndodhjen e Dorian Dulit, Ibrahim Licilit dhe Genc Tafilit. Ai është kontraktuar nga Prekë Kodra, me të cilin bashkëpunonte me qëllim ekzekutimin e Dulit, Licit dhe Tafilit.

Po ashtu, 47-vjeçari dyshohet se ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e PS, Arben Ndoka. Kjo pasi kishte dyshime se Ardian Nikulaj dhe Deda kishin mundësuar futjen e Durim Bamit për të ekzekutuar vëllain e ish-politikanit, Aleksandër Ndoka./tvklan.al