17 mijë të papunë, ngrijnë pagesat për 1.9 mld € kredi



17 mijë të papunë, ngrijnë pagesat për 1.9 mld € kredi

20:40 01/07/2020

Sejko: Peshën e krizës ta mbajnë dhe autoritetet publike

Pandemia e Covid-19 ka dhënë efekte të forta në ekonominë shqiptare duke çuar në 17 mijë numrin e të papunëve.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko tha se shumë biznese dhe familje janë në vështirësi financiare, ndërsa pritet që periudha Prill-Qershor të shënojë rënien më të fortë ekonomike të këtij viti, nëse nuk do të ketë një valë të dytë goditjeje.

“Ekonomia shqiptare humbi rreth 17 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në nivelin e 11.4%”.

23 mijë biznese dhe individë vazhdojnë të mos pagujanë këstet e kredisë, duke përfituar nga ngrirja që miratoi Banka qëndrore dhe qeveria.

1.9 miliardë Euro linjë kredie vazhdon të jetë e shtyrë, nga 2 miliardë Euro që ishte në kulmin e mbylljes së bizneseve. Gent Sejko tha se barrën e kësaj krize nuk duhet ta mbajë vetëm sektori bankar, por dhe autoritetet publike.

“Sektori bankar nuk mund dhe nuk duhet të përballojë i vetëm barrën financiare të goditjes. Në këtë kontekst, një rol primar ka dhe duhet të luajë sektori publik nëpërmjet rritjes së stimulit fiskal, si dhe sektori privat nëpërmjet rritjes së kujdesit financiar”.

Banka e Shqipërisë ka një program emergjence për shpëtimin e ekonomisë nëse kriza e pandemisë përkeqësohet.

“Nëse do të jetë e nevojshme, politika e lehtësimit sasior do të përdoret, por gjithmonë banka qendrore do të jetë huamarrësi i fundit në radhë”.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në këtë mbledhje, ndërsa pavarësisht parashikimeve për një rënie të fortë ekonomike këtë vit, nëse nuk rikthehen masat bllokuese, projekton se ekonomia do të kthehet në ekuilibër vitin e ardhshëm.

Tv Klan




Të ngjashme