Rastet e reja thuajse në të gjithë vendin

Shkon në 56 numri i viktimave nga koronavirusi që prej nisjes së qarkullimit të tij në vendin tonë.

Një pacient 70-vjeçar nga Shkodra që trajtohej në spitalin infektiv e që vuante nga diabeti ka humbur jetën pasditen e së dielës pas disa ditësh që kishte rezultuar pozitiv me Covid-19, ndërsa 2 të tjerë që ndodheshin po ashtu në terapi intensive gjatë 24 orëve të fundit nuk kanë mundur ta fitojnë betejën me këtë virus.

“Një 70-vjeçar nga Shkodra dhe një 54-vjeçar nga Tirana, të konfirmuar me Covid-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë ndërruar jetë në spitalin infektiv, me gjithë kujdesin e mjekëve dhe terapinë intensive”.

24 orët e fundit janë zbuluar më shumë raste të reja me koronavirus se një ditë më parë dhe po vihet re prania e virusit në më shumë qytete.

“Janë konfirmuar 72 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 19 të prekur në Tiranë, 9 në Krujë, nga 8 raste në Shkodër, Durrës, Pukë, nga 4 raste në Sarandë dhe Vlorë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, 2 në Lezhë, dhe nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Has, Kavajë”.

Një pjesë e rasteve të reja kanë patur nevojë për hospitalizim.

“Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 77 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar”.

38 prej të infektuarve janë shëruar, duke e çuar në 1384 numrin e atyre që e kanë tejkaluar koronavirusin. Aktualisht janë 963 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Tv Klan