609 pacientë të shtruar në spitale

Mbetet shqetësuese situata e pandemisë në vendin tonë. Në 24 orët e fundit 20 qytetarë të tjerë nuk e fituan dot betejën me koronavirusin dhe duke e çuar në 1,876 numrin total të fataliteteve që nga shfaqja e virusit gati 1 vit më parë.

7 prej viktimave ishin nga Tirana, 2 nga Vlora dhe nga Lushnja, dhe nga 1 ka Durrësi, Fieri, Berati, Përmeti, Rrogozhina, Shkodra, Korça, Pogradeci dhe Kurbini.

Ajo që e bënë edhe më problematike situatën është gjendja në spitalet 7 Covid, ku vijon të ketë një numër qytetarësh të shtruar dhe në gjendje të rëndë. Aktualisht në to po trajtohen 609 pacientë. 500 prej tyre në 4 spitalet Covid në Tiranë dhe mbi 100 paciente në spitalet rajonale. Ministria e Shëndetësisë raportin se 43 pacientë janë në terapi intensive, nga të cilët 10 të intubuar.

Të larta mbeten edhe infektimet ditore, pasi nga 3268 testime të kryera kanë rezultuar pozitiv 847 qytetarë. 320 prej tyre u evidentuan në Tiranë, 48 në Vlorë, 46 në Shkodër, 36 në Durrës, 35 në Fier, ndërsa qytetet e tjerë kanë një numër të vogël rastesh të reja.

Gjatë të enjtes u kryen 1014 injektime të vaksinës anti-Covid duke e çuar shifrën e personave të vaksinuar që nga fillimi i procesit në 16,807.

Tv Klan