Tre të arrestuar dhe një në kërkim është rezultati i një tjetër operacioni policor, këtë herë në Tiranë, ku u sekuestruan lëndë narkotike, armë zjarri e municione luftarake.

Në pranga përfunduan Shaqir Jeminaj, 23 vjeç, Hektor Krrashi, 18 vjeç dhe Bashkim Hysa, 42 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Ndërsa në kërkim u shpall 32-vjeçari E. M., nga Tapiza.

“Për shtetasit e lartpërmendur disponohej informacion se merreshin me aktivitet të kundraligjshëm të shitjes së lëndës narkotike. Këta shtetas janë konstatuar në rrugën “Berisha”, ku shtetasit E. M., dhe Sh. J., ndodheshin brenda mjetit tip “Mercedez Benz”, ndërsa shtetasit H. K., dhe B. H., jashtë mjetit. Në momentin që këta shtetas kanë konstatuar shërbimet e Policisë shtetasi E. M., ka arritur të largohet me vrap, ndërsa tre të tjerët janë kapur në flagrancë, ku dhe gjatë kontrollit të ushtruar në pjesën e bagazhit të mjetit është gjetur një qese brenda të cilës kishte lëndë të dyshuar narkotike, armë zjarri dhe municion luftarak”,

thotë Policia e Tiranës në një njoftim për mediat

.

Në total, autoritetet sekuestruan 1 kg e 36 gramë kanabis, automatik, 3 krehëra metalik arme zjarri, 442 fishekë arme zjarri Model 56, 129 fishekë arme zjarri Model 54, automjet Mercedez Benz, 3 aparatë celularë.

/tvklan.al