“Mesatarisht 4 gra dhe vajza dëmtohen nga dhuna në familje çdo ditë në Shqipëri. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, në 6-mujorin e parë të këtij viti, 686 femra kanë mbetur të dëmtuara nga dhuna në marrëdhëniet familjare, nga 655 që kishte në po të njëjtën periudhë të një viti më parë”, raporton gazetarja Dorina Halili.

Për rrjedhojë, 1 019 vajza dhe gra nga Janari deri në Qershor kanë kërkuar si dhe kanë marrë menjëherë urdhër mbrojtjeje. Për sociologen Doralda Tanellari, përpos dhunës së partnerit ndaj bashkëshortes, problem shqetësues është edhe dhuna e fëmijës ndaj prindit.

Doralda Tanellari: Ne dëgjojmë shumë raste te fëmijëve që dhunojnë prindërit, njëri-tjetrin për çështje të pronave, apo familjare. Numri është gjithmonë e më tepër shqetësuses, ne kemi një largim shumë të madh po kemi edhe një shtim të rasteve të dhunës. Kjo lidhet me elementet sociale, ekonomike, politikë, kulturorë.

Tirana, Durësi dhe Korça janë tre zonat me numrin më të lartë të vajzave dhe grave të dëmtuara nga dhuna në familje. Ndërsa Kukësi dhe Gjirokastra kanë regjistruar rastet më të pakta. Për të ndryshuar realitetin që sa vjen dhe bëhet më i dhimbshëm, sipas sociologes, duhen analizuar dhunuesit.

Doralda Tanellari: Duhet të bëjmë studime të mirëfillta që lidhin problematikën e dhunuesit dhe problematikën e personit të dhunuar. Sepse unë mendoj që një dhunues e ka problemin me veten dhe zgjidhja duhet të jetë tek ai.

Përgjatë vitit 2023 kanë mbetur të dëmtuara nga dhuna në familje 1 378  vajza dhe gra, nga 1 371 që kishte në vitin 2022.

Tv Klan