Robert Kulla, i biri i Nehat Kullës është arrestuar për dhunë në familje. Policia njofton se 43-vjeçari, Robert Kulla, banues në Tiranë është arrestuar për veprat penale “Dhuna në familje”, “Vetëgjyqësia” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Sipas uniformave blu, dyshohet se Robert Kulla ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babit të tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës të një banese të përbashkët. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Por kush ishte Nehat Kulla, i njohur me nofkën “Gjenerali”

Nehat Kulla

Nehat Kulla i njohur si një nga krerët e bandave kriminale në vitin 1997, ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare në Qershor të 2020-ës.

Nehat Kulla që ndryshe thirrej edhe “Gjenerali”, vdiq si pasojë e disa sëmundjeve që kishte duke përfshirë edhe problemet me frymëmarrjen.

Ai u lirua në Korrik të 2019-s nga burgu, pikërisht për shkak të problemeve shëndetësore. Pak muaj më parë Nehat Kullës i vdiq dhe i vëllai, pasi u prek nga koronavirusi.

Banda e Nehat Kullës ishte një grup kriminal që veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998. Gjatë vitit 1997, ai arriti të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, me aktivitet në zonën e Kinostudios dhe Tufinës në Tiranë.

Nehat Kulla u dënua për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri, njëri prej të cilëve polic pranë komisariatit 4 në Tiranë.


/tvklan.al