6 ushtarakë kanë mbetur të plagosur pasi kanë pësuar aksident në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dajçit”.

Policia njofton se automjeti i repartit ushtarak Vau i Dejës me drejtues qytetarin me iniciale B.N. është përplasur me autobotin me drejtues shoferin me iniciale N.P.

Përplasja mes 2 automjeteve ka sjellë plagosjen e 6 ushtarakëve, të cilët janë dërguar në spital ku po marrin ndihmën mjekësore. Ata paraqiten jashtë rrezikut për jetën.

“Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasit Gj. H., 33 vjeç, R. D., 57 vjeçe, E. Q., 23 vjeç, J. B., 28 vjeç, D. L., 29 vjeç dhe D. K., 27 vjeç, banues në Shkodër (ushtarakë), pasagjerë në automjetin që drejtonte shtetas B. N.”, njofton policia.

Teksa nuk ka preferuar që të bëjë një prononcim publik, shoferi i autobotit ka thënë për Klan News se automjeti i ushtrisë humbi kontrollin pak para se të përplasej me automjetin që ai po drejtonte.

“Ka qenë e pamundur shmangia nga përplasja edhe pse bëra devijim deri në dalje të autostradës”, ka deklaruar drejtuesi i autobotit.

Automjeti i Repartit Ushtarak ishte nisur në drejtim të Mirditës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit./tvklan.al