Autoritetet kanë identifikuar “Njeriun e majës” rreth 5 dekada pas gjetjes  së trupit të tij të ngrirë brenda një shpelle. Ai është identifikuar si 27-vjecari Nicolas Grubb nga Fort Washington, Pennsylvania.

Më 16 janar 1977, poshtë majës në shtegun e Apalasheve në Albany, Pennsylvania, dy alpinistë të rinj gjetën trupin e një burri.

Ishte një nga muajt më të ftohtë të regjistruar ndonjëherë në qytet dhe sipas gazetave të kohës, trupi ishte tërësisht i ngrirë. Pavarësisht përpjekjeve, nuk u gjet se kujt i përkiste. Por më në fund, pas 47 vitesh është bërë i mundur identifikimi i tij.

Familja e Grubb po përpiqet ta varrosë trupin e tij në varrezat e tyre.

Kur trupi u gjet në majën piktoreske, autoritetet nisën hetimet për mënyrën si kishte përfunduar atje. Shumë prej pyetjeve nuk morën përgjigje dhe Grubb njihej prej vitesh si John Doe.

Në kohën kur vdiq, Grubb përshkruhej si një i ri rreth moshës 25-35 vjeç, sy blu dhe flokë të gjatë të kuqërremtë me kaçurrela, rreth 178-180 cm i gjatë dhe me peshë 70 kg.

Sipas një autopsie në vitin 1977 u përcaktua se ai ishte vetëvrarë. Nga ajo pikë, çështja mbeti në harresë pa asnjë të dhënë  tjetër për 47 vite deri në verën që lamë pas.

Gjurmët e gishtave ishin marrë, por seti origjinal ishte humbur dhe kopjet nuk mjaftonin për identifikimin. Edhe përpjekjet për një analizë dentare në vitin 2019 nuk dhanë sukses.

Dukej se çështja nuk do të zgjidhej kurrë derisa dikush arriti të gjente gjurmët origjinale të gishtërinjve. Në më pak se një orë, një ekspert i FBI-së gjeti se i përkisnin Grubb, i cili kishte shërbyer në Gardën Kombëtare.

Familja e Grubb u kontaktua dhe konfirmoi identitetin e tij./tvklan.al