Situata me zjarret vijon në Qarkun e Tiranës, konkretisht në fshatin Mengaj, Njësia Administrative Helmas, Bashkia Kavajë.

Për shkak të dendësisë së pyllit me shkurre të thata, ka qenë i pamundur depërtimi i forcave këmbësore.

Zjarri ka përfshirë dy deri në tre hektarë sipërfaqe toke. Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse të bashkive Tiranë dhe Kamëz, është bërë e mundur, në orët e para të mëngjesit të sotëm, izolimi i një pjesë të zjarrit në krahun ku rrezikoheshin banesat.

Gjatë natës, në vendngjarje, ka qenë i pranishëm edhe prefekti i qarkut Tiranë Afrim Qendro, i cili pa edhe situatën nga afër.

Për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes së automjeteve, si pasojë e thellësisë së zonës së zjarrit dhe terrenit të vështirë, flakët kaluan kodrën duke përfshirë edhe një pjesë të fshatit Cikallesh të komunës Helmës në Kavajë.

Në këto kushte u kërkua mbështetja për ndërhyrje nga ajri dhe pas marrjes së informacionit, helikopteri i Forcës Ajrore “Cougar” u nis në operacion.