Rriten rastet e rënda në spitalet Covid

Një 27-vjeçare nga Saranda është një nga 7 pacientët që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit si pasojë e prekjes nga koronavirusi. Burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë me dije se 6 pacientët e tjerë që ndërruan jetë janë të grupmoshës 44 -82 vjeç. Ata janë nga Tirana, Librazhdi e Berati.

Në 24 orët e fundit situata e koronavirusit  në vendin tonë është përkeqësuar, duke sjellë rritje të rasteve të reja të të infektuarve, te shtruarve në spital dhe rasteve të rënda.

Nga analizat laboratorike janë identifikuar 629 të infektuar të rinj, 40% e të cilëve janë vetëm në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Pas kryeqytetit, bashkitë me më shumë raste janë Fieri, Durrësi, Vlora, Kamza, Elbasani apo Korça.

Numri i të shtruarve në spitalet Covid ka shkuar në 153 nga 140 që ishte të premten. Edhe rastet në terapi intensive janë rritur, nga 11 në 19 pacientë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 441 qytetarë.

Tv Klan