Trefishimi i testimeve rrit numrin e të konfirmuarve me Covid

Koronavirusi ka shënuar sërish rritje të rasteve të reja dhe fataliteteve të shkaktuara në 24 orë. E marta ka regjistruar bilancin më tragjik sa i takon ditëve të para të 2021.

11 pacientë që po merrnin trajtim në 4 spitalet Covid në kryeqytet, nuk e kanë fituar betejën me këtë virus, e për pasojë kanë ndërruar jetë. Viktimat i përkasin grupmoshës 44-84 vjeç dhe janë nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Kurbini e Puka.

Me trefishimin e rasteve të testuara është rritur edhe numri i personave të identifikuar Covid pozitiv, me anë të analizave laboratorike dhe testit të shpejtë.

Epidemiologët kanë realizuar 3424 testime, duke zbuluar 660 të infektuar të rinj. Kryeqyteti vijon të kryesojë me 241 raste pozitive, e pasuar nga Saranda me 44 raste, Durrësi me 36 raste, Lezha me 29 raste dhe Lushnja me 28 raste të reja në 24 orë. Një pjesë e të infektuarve kanë patur nevojë për hospitalizim.

Aktualisht në 4 spitalet Covid, po trajtohen 287 pacientë, 23 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 555 qytetarë.

Tv Klan