Ministria palestineze e shëndetësisë ka deklaruar se 5 palestinezë janë vrarë në një sulm ajror izraelit në veri të Bregut Perëndimor. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se një dron synoi një grup prej 5 të rinjsh pranë një xhamie në qytetin Tubas në agim të së mërkurës.

Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se një avion ka goditur një celulë të armatosur terroriste gjatë aktivitetit kundër terrorizmit nga forcat e sigurisë në Tubas. Një zyrtar ushtarak izraelit u shpreh se në kuadër të operacionit në Tubas është shpallur një shtetrrethim.

Sipas zyrtarit, spitali në Tubas është rrethuar dhe njerëzit mund të dalin e të hyjnë vetëm me kusht që të kontrollohen nga forcat e armatosura. Ndërkohë, agjencia palestineze e lajmeve “Wafa” raportoi se forcat izraelite po kryenin bastisje në shkallë të gjerë në periferi të qytetit dhe disa lagje.

“Wafa” njoftoi gjithashtu se një operacion ushtarak izraelit po vazhdon në qytetin e Tulkarm dhe kampet e tij të refugjatëve për ditën e dytë radhazi. Ministria e shëndetësisë tha se të paktën 36 palestinezë u vranë gjatë operacionit 9-ditor në zonat Tubas, Tulkarm dhe Jenin./tvklan.al