Edhe pse flasim për turizëm të suksesshëm, një ndër problemet e mëdha të sezonit veror, janë insektet e kudogjendura.

Verën e kaluar, emisioni “Stop” në Tv Klan investigoi se si kompania “Egian Med” shpk falsifikoi dokumentet dhe mori një autorizim për dezinsektimin e vendit, duke fituar një tender në vlerë miliona lekë.

“Egian Med” kishte falsifikuar dokumentin e një insekticidi, që nuk lejohet të përdoret në Shqipëri.

Emisioni Stop informoi kompaninë që e prodhon atë në Florida të SHBA-së dhe EPA-n, institucionin që certifikon insekticidet në Shtetet e Bashkuara.

Nga përgjigjet zyrtare u konfirmua që insekticidi i përdorur nga “Egian Med” dhe që mori autorizim nga Ministria e Shëndetësisë nuk ishte i kësaj kompanie, siç kishte pretenduar “Egian”.

Ky fakt bëri që KPK të anulojë tenderin, që kishte shpallur fitues “Egian Med”. Por nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë nuk ia anuloi autorizimin e marrë me dokumente false kësaj kompanie, që “Egian”, të mund ta godiste në gjykatë.

Vetëm dy muaj më pas, subjekti “Euro Med”, që bën dezinsektimin me produktin e “Egian Med”, hap gjyq në Apelin Administrativ, duke e fituar sërish autorizimin për një biocid, që nuk lejohet të përdoret në Shqipëri.

Kjo çështje brenda 5 muajsh u mbyll në favor të subjekteve që kishin përdorur dokumente false. Si pasojë e gjithë këtij kaosi në këtë fushë, Shkodra dhe Lezha mbetën pa dezinsektim.

/tvklan.al