Në mbledhjen e kësaj të mërkure qeveria ka miratuar listën e re të barnave të rimbursueshme duke shtuar 50 medikamente të reja. 

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu tha se barnat e reja që janë shtuar u vinë në ndihmë personave me sëmundje kronike.

Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë: Kësaj liste i shtohen 50 medikamente të reja, nga të cilat 38 pricip aktiv, medikament i ri dhe 18 form-doza të reja. Të gjitha këto barna të reja të shtuara në listën e barnave të rimbursueshme, të cilat e çojnë këtë listë në total në 1345 medikamente të cilat do të rimbursohen nga buxheti i shtetit, janë barna të cilat mbështesin akoma më shumë të gjitha diagnozat dhe patologjitë e sëmundjeve onkologjike, të sëmundjeve diabetike, kardiovaskulare dhe të një sërë patologjish të tjera.  

Vendimi tjetër i qeverisë ka të bëjë me përfshirjen e dy kategorive të reja në mbulimin me fishat falas të diabetit.

Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë: Dy target-grupe shumë të rëndësishme që janë invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuara. Janë 2000 invalidë pune të cilët vuajnë nga sëmundja e diabetit dhe janë afro 1500 persona me aftësi të kufizuar të cilët do të përfitojnë falas fishat e diabetit.

Deri më tani fishat falas të diabetit i përfitojnë të rinjtë dhe fëmijët nga 0 në 25 vjeç, dhe të moshuarit 65 vjeç e lartë. Në vendin tonë janë mbi 90 mijë persona që vuajnë nga diabeti.

Klan News