5 Shtatori përkon me datën kur Para Françesku vendosi që të shenjtërojë murgeshën katolike me origjinë shqiptare, Nënë Terezën. Sot në këtë festë zyrtare mbushen plot 8 vite nga shenjtërimi i saj.

Kjo datë përkon edhe me ditën ku shenjtorja shqiptare u nda nga jeta 27 vite më parë, pikërisht më 5 Shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur më 26 Gusht të vitit 1910 në qytetin e Shkupit.

Për punën dhe kontributin e saj veçanërisht me fëmijët në Kalkuta Nënë Tereza u vlerësua me çmimin Nobel. Sot, puna e saj është një frymëzim në të gjithë botën për më shumë ndihmë dhe kujdes ndaj të varfërve dhe të sëmurëve.

Për këtë ditë të veçantë reagimet nga figurat kryesore të shtetit nuk kanë munguar duke kujtuar dhe admiruar punën dhe kontributin e madh të Nënë Terezës për njerëzimin. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është shprehur se Nënë Tereza është shembulli i shpirtit dhe besimit.

“Sot kremtojmë ditën kushtuar bijës së shenjtë shqiptare, Nënë Terezës, shembull i fuqisë së shpirtit dhe besimit, me një jetë të kaluar në dedikim e shërbim ndaj të vuajturve. Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin,” ka shkruar Presidenti Begaj.

Kurse kryeministri Edi Rama ka shkruar: “Mirëmëngjesi, dhe në këtë Ditë të Shenjtërimit të gruas së paqes në botë, shqiptares Nënë Tereza, ju uroj një ditë të bukur.

Një reagim ka patur edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Sot, më 5 Shtator, përkujtojmë Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës , një emër që simbolizon dhembshurinë dhe altruizmin. Trashëgimia e saj është një dritë udhëheqëse për të gjithë ne”, shkruan Veliaj.

Në moshën 18-vjeçare Nënë Tereza iu bashkua manastirit irlandez, më pas u nis për në Indi në qytetin Kalkuta.  Në vitin 1948, ajo themeloi ‘Misionarët e Bamirësisë’ dhe gjithë jetën ju shërbeu të varfërve dhe të sëmurëve. Shenjtorja në vitin 1979 ka fituar çmimin Nobel për Paqen. Ndërsa në vitin 1985 Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Regan i ka dhënë asaj “Medaljen e Lirisë’, shpërblimin më të lartë të shtetit amerikan.

Murgesha “u lumturua” në Tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Më pas Shenjtores iu njohën mrekullitë e bëra në shërimin e një gruaje nga kanceri dhe shërimi i një personi tjetër në Brazil, i prekur gjithashtu nga tumori, të cilat i hapën rrugë shenjtërimit të saj, më 5 Shtator 2016 nga Papa Françesku.

Nënë Tereza u bë një nga urat lidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. 5 Shtatori është shpallur festë zyrtare nga Këshilli i Ministrave./tvklan.al