Të ftuar:

Xhimi Beqiri – stilist flokësh

Ditmar Bicaj – ish futbollist, trainer

Trevisa Tufa – gazetare

Eda Bano – blogere udhëtimesh

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Biskota me gjalpë

250 gr gjalpë në temperaturë ambienti
130 gr sheqer pluhur
1 vezë
0,5 lç ekstrakt vanilje
250-270 gr miell
70 gr niseshte misri

Vendosim gjalpin në një tas dhe e punojmë me një pirun ose me rrahësen e vezëve që të zbutet plotësisht. Shtojmë sheqerin dhe vazhdojmë përzierjen deri sa të marrë trajtën e butë dhe të lëmuar. Përziejmë vezën në një enë e më pas shtojmë pak e nga pak tek tasi i gjalpit dhe vazhdojmë përzierjen me rrahësen e vezëve. Shtojmë pak ekstrakt vanilje, e përziejmë e më pas shtojmë miellin të përzierë me niseshtenë e misrit duke i kaluar në tas nëpërmjet sitës.

Përziejmë brumin me spatul deri sa të na formohet një brumë jo shumë i fortë. Transferojmë brumin në një xhep pastiçerie dhe më pas fillojmë të formojmë biskota të madhësive që dëshironi. Biskotat i vendosim në tepsi me letër pjekje. I pjekim fillimisht në temperaturë 180 gradë për 5 minuta e më pas ulim temperaturën në 160 gradë për 10 minuta.

Receta që i përshtatet shijes së të gjithëve

250 gr mish të grirë
1 lgj gjalpë
2 lgj vaj ulliri
1 qepë
1 spec jeshil
2 domate të pjekura
1 fk ujë
2-4 vezë
Kripë dhe piper i zi
Piper i kuq

Fillimisht në tigan shkrijmë gjalpë dhe vaj. Skuqim mishin e grirë deri sa në tigan të mos ketë lagështirë. Shtojmë njëherësh qepën të grirë imët dhe specin në kubikë të vegjël. I kaurdisim së bashku për 3 minuta e më pas shtojmë domatet të qëruara nga lëkura dhe të prera në kubikë. E lëmë domaten të ziejë pak. Shtojmë kripë e piper të kuq dhe piper të zi. Shtojmë pak ujë dhe i lëmë të gjithë përbërësit të ziejnë për 7-8 minuta. Në fund rrahim 2 vezë me pak kripë dhe i shtojmë duke i përzier ngadalë ose nëse dëshironi mund të hidhni në sipërfaqe të tiganit 4 vezë nga 1 për person.

Studimi: Burrat me mjekër janë më shumë romantikë dhe më të qëndrueshëm në një lidhje

Kujton përvjetorët, surprizon vazhdimisht partneren… djali romantik brenda Ditmar Bicajt

Nëse mendonit se djemtë romantikë janë të rrallë, deklarata e ish-futbollistit Ditmar Bicaj do ju ndryshojë mendjen. Ndoshta studimi që diskutohet në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se djemtë që mbajnë mjekër janë shumë romantikë, përkon më së miri me karakterin e tij.

Trajneri tregon se i mban mend shumë mirë përvjetorët e rëndësishëm, i pëlqen t’i përkushtohet partneres e t’i bëjë dhurata apo ta surprizojë. Vetëm një lloj dhurate s’ia ka bërë kurrë.

Ditmar Bicaj: Më pëlqen të bëj dhurata, të bëj dhurata, gjithmonë t’i përkushtohem, në ndonjë vend që s’ka qenë ta çoj, t’i bëj ndonjë surprizë.

Eda Bano: Datat për shembull nuk i harron asnjëherë se burrat gjithmonë i harrojnë?

Ditmar Bicaj: Po, është shumë e vërtetë. Te datat, përvjetori i martesës, kur jemi njohur se unë jam njohur me bashkëshorten time më 1 janar.

Katerina Trungu: E paske pak të lehtë!

Ditmar Bicaj: E kam një çikë të lehtë.

Eda Bano: Çne se më 1 janar të gjithë flenë gjumë?

Ditmar Bicaj: Po pra, shumë e vërtetë, ashtu ka qenë fati im, më 1 janar të 2009 që kam folur për herë të parë, pastaj kemi filluar që jemi njohur e pastaj e kemi bërë zyrtare. Mua kush më njeh nga afër e di shumë mirë që unë jam pak detajist, sidomos te bashkëshortja ime. Më pëlqen shumë të bëj dhurata, futem e shikoj gjëra që ku s’kam qenë përpara ta çoj, t’i blej ndonjë gjë. Parfumet s’ia  bëj asnjëherë të them të drejtën.

Për ata që nuk e dinë, besohet se në rastet kur një djalë i dhuron parfum një vajze, sjell grindje mes tyre.

Pse vajzat pëlqejnë djemtë me mjekër?

“Edi Rama vishet super bukur”, stilisti i flokëve komplimenton kryeministrin

Në punën e tij si stilist flokësh, Xhimi Beqiri has edhe politikanë. Duke qenë se vetë pamja e tij bie menjëherë në sy, syri detajist ndaj të tjerëve nuk i mungon. Biseda në “Shije Shtëpie” në Tv Klan për mjekrën te burrat dhe dimensionin që i jep ajo pamjes, u ndal edhe te figurat  politike. Xhimi vlerësoi kryeministrin Rama për vëmendjen që tregon ndaj stilit të tij i cili tashmë e personifikon.

Xhimi Beqiri: Edhe Rama, qoftë në veshje që vishet super bukur, edhe në stilin, pse bën veçantinë ndër ministrat e tjerë? Se është ai, është unik, ka krijuar stil jo standard, brisku, kollarja. Kollare vënë të gjithë, futu në atë paketën, në atë ‘copy paste’ , futesh te ajo fotoja kornizë, të gjithëve po t’u vësh veshin, përveç Ramës, janë njësoj.