Ndalohet lundrimi në Vlorë dhe Durrës

Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë ka shkaktuar probleme në disa qytete të vendit. Vlora është rajoni më i prekur. Reshjet e shiut, shoqëruar me stuhi dhe shkarkesa atmosferike kanë shkaktuar dëme të shumta.

Dëmtimi i rrjetit elektrik ka lënë pa ndriçim disa zona të tilla si Narta, Himara, Dhërmiu, Qeparoi, Kudhës, Rradhimën dhe Selenicën. Edhe ne disa fshatra të Gjirokastrës pati probleme me furnizimin me energji elektrike.

Dallgëzimi deri në 8 ballë ka bërë që në Portin e Vlorës të pezullohet lundrimi detar për të gjitha mjetet, përfshirë edhe tragetin e linjës Vlorë-Brindisi deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Probleme ka patur edhe në Himarë. Stuhitë kanë shkaktuar probleme në plazhin e Livadhit dhe Spillesë. Në Durrës tragetet janë nisur me disa orë vonesë  ndërsa anijet e peshkimit nuk lejohet të dalin në det.

Sipas sinoptikanëve, reshjet e shiut priten të kenë ndërprerje për t’u rikthyer të dielën pasdite. I gjithë Nëntori do të mbyllet me temperatura 2 gradë mbi normalen i shoqëruar me reshje shiu. Në disa qytete pritet të shkaktojnë dhe përmbytje.

Tv Klan