Leonidha Hristo ish-kryebashkiak dhe 4 persona të tjerë ish-zyrtarë të Bashkisë së Finiqit u dërguan në gjyq nga Prokuroria e Posaçme. SPAK thotë se hetimet e kryera që prej 2022 treguan se ata kanë shpërdoruar detyrën në disa procedura tenderi që janë zhvilluar përgjatë viteve 2017-2019.

Së pari procedura e përpilimit të dokumenteve të tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave janë kryer nga të pandehurit Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e caktuar në urdhrat përkatës.

Së dyti vlerësimi i ofertave nuk është kryer nga shtetasit e caktuar si anëtarë te Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, por është kryer defacto nga i pandehuri Florian Peri.

Hetimet për këtë dosje nisën pas një kallëzimit të bërë në SPAK në vitin 2020 nga Kontrolli I Lartë i Shtetit, që pas një auditi të kryer doli në përfundimin se 41 procedura tenderimi të ndryshme gjatë 2017-2019 ishin në shkelje. Këto shkelje kishin shkaktuar një dëm që shkonte miliona lekë.

Tv Klan