Një 78-vjeçar i ka marrë jetën shokut të dhomës në një azil privat në Tiranë këtë të enjte. Ngjarja ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta mes të dyve.

Autori i kësaj ngjarje është Zyhdi Shehi. Policia njoftoi se rreth orëve të para të mëngjesit ai ka goditur disa herë me një bastun hekuri shokun e dhomës, 82-vjeçarin Virxhil Vesho. Ky i fundit për shkak të dëmtimeve të marra humbi menjëherë jetën.

Ndërkohë policia po vijon hetimet për këtë ngjarje. 78-vjeçari Shehi është vënë në pranga dhe ndaj tij rëndon vepra penale e vrasjes me dashje.

Sipas asaj që ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj paraprakisht dyshohet se dy të moshuarit janë zënë për shkak të krevatit. Shehi ka akuzuar Veshon se i ka zënë krevatin dhe rreth orës 04:00 të mëngjesit e ka goditur me bastun.

Si viktima dhe autori vuanin nga skleroza.

Autori Zyhdi Shehi

NJOFTIMI I POLICISË:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasin Z. Sh., 78 vjeç, banues në një azil privat për të moshuarit, për veprën penale “Vrasja me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Ky shtetas dyshohet se, sot më datë 08.08.2024, rreth orëve të para të mëngjesit, për motive të dobëta, ka goditur disa herë me anë të një bastuni (shkop hekuri), shokun e tij të dhomës, shtetasin V. V., 82 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë./tvklan.al