3 adoleshentë nga Britania kanë zgjedhur Himarën për të punuar por edhe pushuar. Ata thonë se punojnë për rreth 1 muaj gjatë sezonit të verës ne restorantet e rivierës dhe më pas me paratë që mbledhin nga paga e tyre, bëjnë edhe pushimet. Eksperienca e tyre unike në brigjet shqiptare është ndarë në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama.

“Jemi këtu për t’u argëtuar dhe fituar para ndërkohë. Jemi 3 shokë që vijmë nga Anglia. Shijojmë verën, shijojmë diellin dhe takojmë njerëz të rinj. Më pëlqen të takoj njerëz të rinj, kultura të reja”.

“Për mua ka qenë përvoje e shkëlqyer. Merr ca para, shijon edhe plazhin. Zakonisht mbarojmë turnin e mëngjesit, pastaj shkojmë në plazh për afro 3 orë. Rrimë aty, pushojmë, lahemi madje dhe flemë. Në 17.30 e mbyllim punën dhe pastaj dalim. Zakonisht punojmë 7-8 orë pasi jemi më të rinj se të tjerët. Jemi të kënaqur me pagën dhe do të rikthehemi sërish vitin që vjen”.

3 të rinjtë, në bilancin e tyre pas largimit nga Shqipëria, thonë se përfituan një eksperiencë unike, miq të rinj dhe kanë mësuar më shumë nga kultura shqiptare. Ata bëjnë thirrje që më shumë bashkëmoshatarë të ndjekin këtë rrugë për të shijuar, detin, diellin dhe marrë disa të ardhura gjatë sezonit veror.   

Klan News