Urdhri i Ministrisë së Financave për të gjithë punonjësit

Të gjithë punonjësit e administratës publike janë të detyruar që të dorëzojnë pranë çdo njësie ku janë të punësuar një vërtetim se nuk kanë detyrime tatimore të papaguara si individuale, ashtu edhe ato që mund të rrjedhin duke qenë pronarë apo aksionerë të një biznesi.

Televizioni Klan ka siguruar një shkresë që Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave u ka nisur institucioneve në datën 11 Nëntor, duke i kërkuar çdo punonjësi që të dorëzojë këtë deklaratë. Një muaj më parë punonjësve u ka shkuar një shkresë e ngjashme edhe për pagesën e faturave të ujit dhe të dritave.

Shkresa mbështet në ligjin dhe udhëzimet e buxhetit si dhe në ligjin e procedurave tatimore, por në asnjë nga këto akte nuk parashikohen masa për ndëshkimin e punonjësve të administratës që kanë detyrime të papaguara të taksave.

Ecuria e mbledhjes së taksave në buxhetin e shtetit gjatë këtij viti ka qenë 78 milionë dollarë më e ulët se parashikimi, ndërsa pritet ende që të publikohen treguesit fiskalë të muajit Tetor dhe Nëntor.

Vetë Ministrja e Financave, Anila Denaj e ka pranuar ecurinë e dobët të mbledhjes së të ardhurave në rastin kur është pyetur nga deputetët nëse do të ketë apo jo shpërblim në fund vit për pensionistët dhe shtresat në nevojë.

Tv Klan