Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me akuzat e PD-së se ai dhe familjaret është përfitues i tokave në Vuno. Në një postim të gjatë shpjegues postuar në facebook Rama thotë se po i bëhet ‘maskarallëku’ i njëmijtë në adresë të tij në mënyrë të padenjë por se për këtë çështje do të shihen në gjykatë. 

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Siç e thashë publikisht para disa ditësh, padia e radhës për shpifjet e tyre do të shkojë në gjykatë sapo të jetë gati. Por duke qenë ky i pronës së grabitur nga unë në Vuno me vendime qeverie, një fabrikim i hatashëm në tërë ndytësinë e vet, po ndaj publikisht disa fakte që e tregojnë shumë kokëfortësisht, se jo vetëm s’jemi të gjithë njësoj në këto llogoret e politikës, po jetojmë në dy botë krejt të ndryshme dhe kemi për politikën dhe pushtetin botëkuptime që dallojnë si dita me natën.

Akuzat e opozitës dhe te disave ne Athine kryeministri Rama i ka cilësuar si përpjekje të dështuara.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ata andej, poshtë nga Athina, nuk duan ta pranojnë se në Shqipëri ka vdekur koha kur mund të fusnin hundë e duar, për të bërë çorap punët tona përmes shërbëtorësh dhe eunukësh me pushtet në Tiranë. Ndërsa këta këtej, lart nga Tirana, pasi vdiq koha kur mund ta shkelnin me të dyja këmbët çdo ligj e zakon, për të grabitur ç’të mundeshin me hijen e pushtetit dhe me ligje e vendime qeverie të kopsitura për interesat e tyre, të familjarëve e të tarafeve të tyre, duan medoemos të më fusin edhe mua në kategorinë e mjerë të të korruptuarve, të cilës i përkasin përgjithmonë në mënyrën më të palavdishme.

Sa i përket pronave, Rama sqaron se trashëgimtarët e pronave të stërgjyshit të tij në Vuno, nuk i kanë marrë ende certifikatat e pronësisë.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Jam mësuar me ata që “nuk mbushin” dhe që e shohin botën me sytë e verbër të anësisë politike apo të urrejtjes analitiko-mediatike. Shpjegimet janë vetëm për atë shumicë shqiptarësh që prej 11 vjetësh, më kanë bërë nderin e jashtëzakonshëm të besimit të tyre për të udhëhequr Shqipërinë, të cilëve besoj se u vlen historia e kësaj prone, si një provë e besnikërisë sime ndaj tyre në kryerjen e një detyre kaq të lartë, ku kurrë, në asnjë rast, nuk kam marrë e nuk do të marr asnjë përfitim material përmes pushtetit që ushtroj, e prej ku familjarët e të afërmit e mi nuk kanë marrë kurrë, në asnjë rast, as edhe një trajtim të veçantë falë pushtetit që ushtroj. Jo 22.4 ha pyll dhe kullotë, po sikur detin e tërë të ma bënin kos, nuk do ta pranoja në këmbim të kënaqësisë së një dite të vetme si kjo në detyrë, kur Himara u gdhi e çliruar nga mjegulla e gjatë e një historie për t’u shkruar njëherë tjetër.

Rama rendit me disa data kronologjinë e përpjekjeve nëpër gjykata dhe në agjensinë e trajtimit të pronave të Edrin dhe Eno Kolekës për të marrë pronën si trashegimtarë (me prokurë të posaçme) të Petro dhe Spiro Kolekës.

Klan News