Në mbrëmjen e së shtunës në “Uembli” kundër Borusia Dortmundit, Karlo Ançeloti do të kërkojë të fitojë Ligën e pestë të Kampioneve në karrierën e tij.

Nëse ia del, ky do të jetë trofeu i 15 për Real Madridin, që këtë kompeticion e dominon.

Në konferencën për shtyp përpara takimit, trajneri i “Los Blankos” tha se për të tilla sfida është normale të kesh frikë.

“Gjëja më me rëndësi në të tilla ndeshje është që të vendosësh ide të qarta në mendjet e lojtarëve. Sa më të qarta të jenë, më pak nervozizëm do të ketë ekipi. Emocionet janë dhe secili i menaxhon sipas karakterit të tij. Do të provojmë emocione, shqetësime e frikë! Por frika është pjesë e rëndësishme, për t’i bërë mirë gjërat. Ekipi ka treguar dy gjëra me shumë rëndësi, cilësi e sakrificë. Finalja e Champions është më e rëndësishmja dhe më e rrezikshmja. Jemi kaq afër suksesit, sa kemi frikë!”

Ndërsa tekniku i Borusias, Edin Terziç beson te skuadra e tij, pavarësisht vlerësimit që ka për madrilenët.

“Ne e dimë se ata janë deri më tani, ekipi më i suksesshëm në këtë kompeticion. Ne kemi pasur vetëm dy humbje në këtë sezon, por e shikojmë se jemi gati të konkurrojmë në nivelin më të lartë. Kur luan vetëm një ndeshje, çdo gjë është e mundur. Ata janë favoritë, por ne nuk ishim favoritë as kundër Atletikos, e as PSG-së. Nëse tregohemi të zotë dhe nuk duam të shikojmë Realin të fitojë trofeun e radhës, atëherë ne do të kemi një shans.”

‘Los Blankos’ nuk e njohin humbjen në kompeticion prej 12 takimesh, por, kjo është hera e parë që ata arrijnë në një finale të Ligës së Kampioneve pa humbur asnjë sfidë.

Dortmundi ka dështuar në vetëm 1 nga 11 ndeshjet e fundit, por duke mbajtur portën e paprekur në 6 nga këto takime dhe duke shënuar golin e parë në nëntë nga dhjetë ndeshjet e fundit.

Verdhezinjtë finalen e tyre të fundit të Champiosn e kanë luajtur në Uembli, ku u mundën nga Bajern Mynihu 2-1 në 2013, me Mats Humels dhe Marko Rojs që ende luajnë role kryesore për klubin 11 vjet më vonë.

Përvoja e tyre do të shërbejë, edhe pse kundër kanë kundërshtarë që kanë humbur vetëm 1 nga 20 takimet e fundit ndaj rivaleve gjermane.

Klan News