Një gjykatë në Angli vendosi këtë të martë të lejojë ekstradimin drejt Shqipërisë të Edmond Haxhisë dhe 3 të shtetasve anglezë, të akuzuar si pjesmarrës në organizimin e vrasjes së Ardian Nikulajt në 19 prill të 2023 në Shëngjin.

E njëjta gjykatë vendosi gjithashtu të mos lejojë ekstradimin e britanikut tjetër të akuzuar për të njëjtën ngjarje, Steven Hant për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Ky është vendim i shkallës së parë dhe mund të ankimohet nga të akuzuarit, të cilët kanë kërkuar gjatë procesit të mos ekstradohen në Shqipëri.

Prokuroria e Lezhës thotë se Edmond Haxhia, për hakmarrje organizoi atentatin ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj, në lokalin e tij në Shëngjin.

Për të realizuar ngjarjen, ai punësoi në rolin e ekzekutorit fizik shtetasin portugez, Ruben Saraiva, i arrestuar dhe i vetmi që ndodhet përballë drejtësisë shqiptare.

Në rolin e vëzhguesve, duke u hequr si turistë ai kontraktoi 4 shtetas britanikë që jepnin informacione për lëvizjet e Nikulajt.

Për tabloidin Daily Mail ka folur Vera Nikulaj, bashkëshortja e viktimës që është shprehur se britanikët e përfshirë në vrasje, i pritën si miq në hotel dhe madje edhe i qerasën.

Ajo ka thënë se për shkak të gjakmarrjes ishin të kujdesshëm dhe ruheshin ndaj kërcënimeve, por nuk dyshuan asnjëherë se anglezët do të përfshiheshin në këtë atentat.

Tv Klan