Pasditja e së hënës nxehu situatën në Shkodër jo vetëm nga zjarret që krijuan problematika të mëdha, por edhe mes kryebashkiakut Bardh Spahia dhe prefektes Majlinda Angoni. Dy ish-rivalët për këtë bashki kishin zbritur në terren dhe u përballën për mënyrën si po menaxhohej gjendja. E ftuar sot në Klan News në një intervistë me Bes Jacaj, prefektja Angoni sqaroi se çfarë ndodhi mes tyre.

Bes Jacaj: Ditën e djeshme një video ku ju dhe kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia patët një shkëmbim diskutimi përpara zjarrfikësve dhe qytetarëve të pranishëm mori një masivitet dhe shpërndarje në rrjetet sociale. Si e keni patur bashkëpunimin gjatë këtyre ditëve me bashkinë e Shkodrës sepse nuk u dukën shumë të qeta marrëdhëniet nga ajo që u shfaq ditën e djeshme, ndoshta ndikuar edhe nga situata rreth zonës që ju ndodheshit?

Majlinda Angoni: Të them të drejtën, bashkëpunimi për sa i përket emergjencave civile ka qenë i mirë, reagimi, sepse çështja është madhore dhe unë kam patur bashkëpunim me nënkryetarin sepse kryetari ishte hera e parë që doli si të thuash, u bë i dukshëm në territorin e vet për situata emergjence. Ne kemi patur bashkëpunim me nënkryetarin i cili ka reaguar në mënyrë të menjëhershme dhe ka operuar. Çalim pati sepse tendenca e të gjithëve është të kërkojmë helikopterin dhe në një situatë të tillë ku mund të menaxhohet me një mirëorganizim dhe mirëpërgjegjësi sepse gjithsecili nga strukturat do të ishte bërë e minimizueshme dhe sot Vilza do të ishte e fikur, ky do të ishte diskutimi. Pra, në qoftë se personat përgjegjës që merren me koordinimin e punës atje do të ishin në krye të detyrës, ne nuk do të kishim këtë  situatë.

Bes Jacaj: Tani, kush janë personat përgjegjës zonja Angoni se bashkia thotë e ka prefektura dhe emergjencat civile, prefektura dhe ju ngrini qëndrimin që e ka bashkia.

Majlinda Angoni: Të kemi një gjë të sigurt sepse krijohet një ide sikur prefektura ka çdo gjë në dorë. Në fakt, me decentralizimin të gjitha strukturat kanë kaluar në bashki dhe janë kompentencë e plotë e çdo bashkie për të hetuar pronat e veta dhe për t’i mbrojtur ato. Ne jemi vetëm për të koordinuar dhe monitoruar. Ne, në rast se ka nevojë për mjete të tjera që mund të sillen, mund t’i marrim nga bashkitë përreth dhe mund t’i përforcojmë në mungesë të kapaciteteve qoftë njerëzore, qoftë të mjeteve motorike  siç bëmë të mundur ardhjen e ushtarëve të repartit 10/10 që ishin që në 6 të mëngjesit të gatshëm për të ndërhyrë dhe në fakt atje nuk gjetëm njerëzit përgjegjës për të bërë koordinimin e punës. Pra, përgjegjësitë kryesore duhet ta dinë të gjithë qytetarët, sepse telefoni im, me gjithë dashamirësinë që unë kam dhe vihem në dispozicion të çdo qytetari, nuk më ka pushuar. Ndërkohë që dua ta bëj me dije, është bashkia kryesore sepse menaxhon të gjitha mjetet njerëzore dhe motorike./tvklan.al