Anjeza Kolevica është artistja, e cila njësoj si babai i saj ka zgjedhur baltën shqiptare për të punuar. Ajo është ndër të paktat për të mos thënë e vetmja grua shqiptare e cila punon me baltën. Një pasion i hershëm që tashmë është kthyer në një punë të përditshme për të. Prej më shumë se 4-vitesh ka punuar për të sjellë para artdashëve dhe sidomos adhuruesve të qeramikës, një ekspozitë me punimet e saj unike, të titulluar “Format e GRAVITETIT Shpirtëror”. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan artistja ka treguar më shumë detaje përsa i përket pasionit të saj dhe po ashtu lidhjen e veçantë më të atin.

Rudina Magjistari: Të flasim pak për marrëdhënien që ti ke me babain tënd, skulptorit që ka realizuar bustin e aktores Vjoleta Manushit, por që vjen në rolin e personazhit të saj, të teto Ogës. E ka realizuar aq bukur saqë besoj se nuk ka shqiptar që nuk e ka një fotografi. E ka realizuar aq këndshëm, saqë duket se është aty e gjallë.

Anjeza Kolevica: Është kthyer në simbol edhe të vetë qytezës së Tushemishtit dhe nëse e shohim, aq e dashur është si figurë saqë edhe krahët e bronzit janë konsumuar ngaqë njerëzit përpiqen të gjithë të bëjnë foto, duke e kapur përkrahu.

Rudina Magjistari: Në Korçë ju keni gjithashtu edhe studion tuaj, e parë dhe më të madhe ku janë të ekspozuara të gjitha punimet qeramike të tuat dhe të babait tënd, një studio që është vizituar dhe nga personalitete të rëndësishme, siç janë: Ambasadorja Yuri Kim, Ambasadori Luigji Soreca, kështu që është një vend interesant për t’u vizituar./tvklan.al