Lituania dhe Qipro janë sfidat e radhës për kombëtaren e Kosovës në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve. Dy përballje nga e cila “dardanët” synojnë maksimumin për të shpresuar jo vetëm tek fitorja e grupit, por edhe ngjitjen një divizion më lart. Për trajnerin, Franko Foda objektivi parësor është marrja e 6 pikëve.

“Nëse duam ta fitojmë këtë grup duhet që t’i fitojmë të dyja këto ndeshje. Fillimisht kemi disa ide dhe do ta shohim gjatë stërvitjeve se si do të luajmë me dy apo me një sulmues. Sigurisht, Vedat Muriqi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë dhe mungesa e tij ndikon, por kemi mjaft alternative.”

Një nga temat që ka bërë bujë të madhe së fundmi ishte pezullimi i lojtarëve nga grumbullimi i kaluar para sfidës ndaj Qipros.

“Këtë vendim e kemi marrë së bashku me federatën dhe rrjedhimisht për ndeshjen me Qipron i kemi larguar. Pas kërkimit të faljes që kanë bërë të tre lojtarët, ata tashmë janë pjesë e Kosovës për dy ndeshjet ndaj Lituanisë dhe Qipros.”

Pas dy sfidave, Kosova gjendet në vendin e dytë të grupit 2 në Divizionin C të Ligës së Kombeve në kuotën e 3 pikëve.

Klan News