6 vite më parë, Elida Karafili zbuloi në gjirin e majtë një kokërr që e dinte fare mirë se nuk duhej të ishte aty. Me këmbënguljen e vajzave të saj që ende s’dinin asgjë, ajo nisi kontrollet mjekësore dhe brenda një kohe fare të shkurtër, kreu edhe operacionin.

Gjithçka ndodhi shumë shpejt, tregoi ajo në “Rudina” në Tv Klan por sot ka një këshillë për të gjitha gratë që gjenden në situata të tilla. Elida mendon se gaboi që nuk e foli me dy vajzat e saj, të cilat janë edhe të njohura për publikun,  eda Balluku dhe Simona Karafili, pasi iu desh të luftonte e vetme. Arsyeja që nuk ua tha ishte pikërisht shqetësimi i zakonshëm i nënës, instikti për t’i mbrojtur edhe nga vetja.

Elida Karafili: Unë kur u ekzaminova nuk i thashë askujt në shtëpi. Gjithë periudhën e ekzaminimeve, analizave, unë i mbajta vetë për të mos rënduar fëmijët, siç e bën çdo nënë. Shumë e bëjnë dhe mendova që kështu do t’i ndihmoj. Fëmijët e mi janë njoftuar kur unë kam shkuar në sallën e operacionit se duhej   të firmosnin familjarët.

Rudina Magjistari: Edhe vajzat?

Elida Karafili: Vajzat nuk e dinin.

Rudina Magjistari: Ato ishin ato që të shtynë të shkoje.

Elida Karafili: Ato më çuan, por unë nuk u thashë atë problem.

Rudina Magjistari: Nuk u tregove përgjigjen, i the jam mirë?

Elida Karafili: Jam mirë, Neda sapo kishte lindur djalin dhe thashë do m’i ikë qumështi vajzës, do të ngelë pa qumësht.

Suela Koçibellinj: Deri në 7 breza mendojnë.

Elida Karafili: Simona kishte një koncert me ambasadat, thashë do m’i ikë zëri dhe thashë hajde, si çdo herë vetëm. Por unë bëra gabim sepse gjithë ajo trysnia,  gjithë ajo pagjumësia me net të tëra, krijoi diçka, krijoi një traumë tek unë në anën psikologjike./tvklan.al