Arbitri Damien Dumusois ka “fluturuar” në aksion në momentin që ka parë një pëllumb të lënduar në fushën e tenisit Court Suzanne-Lenglen gjatë ndeshjes së French Open.

I mbetur në tokë pas uljes në baltën e kuqe gjatë një ndryshimi në setin e katërt në ndeshjen midis Daniil Medvedev dhe Tomas Machac, pëllumbi po tentonte disa herë të fluturonte duke tunduar krahët, por pa sukses.

Kjo nuk i ka shpëtuar syrit të arbitrit, i cili ka marrë zogun me një peshqir gjatë ndeshjes, të cilën Medvedev doli fitimtar duke arritur në 16-shen e fundit.

“Zogu nuk dukej mirë, mendoj se ka problem me krahët”, tha Medvedev për gazetarët pas përfundimit të ndeshjes teksa shtoi se arbitri bëri një punë të mirë duke e shpëtuar.

“Arbitri bëri një punë të mirë. Shpresoj që zogu të jetë mirë dhe ta çojnë në klinikën veterinare. Nuk e di, duhet të pyesim se çfarë ndodhi më pas.”

Medvedevit iu deshën 3 orë e 24 minuta për të mposhtur Machac. Ai do të luajë më pas me Alex de Minaur në raundin e katërt./tvklan.al