Një person me rrezikshmëri të lartë është vënë në pranga në Tiranë. Policia thotë se ka kapur 30-vjeçarin Gabriele Peqini, i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.

Ndërkohë sipas asaj që njoftojnë uniformat blu nuk mungojnë rekordet e shumta kriminale të tij duke e bërë një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. 30-vjeçari në fjalë u kap në afërsi të Casa Italia.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. 30-vjeçari, në vitin 2022, në Durrës, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas”, njoftoi policia.  

Gjatë kontrollit atij iu gjet një pistoletë me krehëra dhe municion luftarak, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe sasi lënde të dyshuar narkotike./tvklan.al