Vrasjet me pagesë, lihen në burg vëllezërit Beqiraj


Vrasjet me pagesë, lihen në burg vëllezërit Beqiraj

17:21 06/10/2022

Gjykata cakton masat edhe për 14 të arrestuarit e tjerë

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ pa afat për Gentjan dhe Indrit Beqiraj, dëshmitë e të cilëve zbërthyen disa ngjarje kriminale. E njëjta masë edhe për Flamur Bejkon, ish-policin e burgjeve i cili sipas rrëfimeve të dy vëllezërve kishte porositur vrasjen e dy personave.

Ndërkohe për 10 nga të arrestuarit, togat e zeza vlerësuan caktimin e masës ‘arrest me burg’ me afat 45 ditor. Ndërsa për Fatjon Hajdarin gjykata caktoi masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje, për mungesë provash.

“Unë nuk kam lidhje me ata, por ngaqë jetoj në një shtëpi me vëllain dhe më morën dhe mua.”

Në seancën e zhvilluar, trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë për të shpallur moskompetencë dhe kaluar çështjen Prokurorisë së Posaçme. Vendim ky që duket se mori dhe pëlqimin e disa prej përfaqësuesve ligjor të të arrestuarve.

Liliana Tanko: Nuk ka prova të mjaftueshme për krime të organizuar jo e jo, por as prova të mjaftueshme për të marrë akuzë të tillë secili nga shtetasit.

Gjon Huli: Prokuroria mendon se ka prova të arsyeshme, për mua si avokat, për klientin tim nuk ka asnjë lloj prove.

Krahas të arrestuarve në kuadër të operacionit të koduar “Porositësi” janë shpallur në kërkim dhe pesë persona të tjerë mes të cilëve dhe Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi i njohur ndryshe si RRUMI. Këta persona u përfshinë në këtë hetim nga rrëfimet e vëllezërve Beqiraj, të cilët zbardhën dy vrasje të regjistruara në Tiranë e Durrës, që sipas tyre ishin porositur nga Kasandër Noga, i cili aktualisht ndodhet në burg në Belgjikë për plagosjen e Erjon Hasanbelliut.

Tv Klan












Të ngjashme