Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit të femrave, Armir Grima është në mesin e 11 personave të arrestuar nga policia si pjesë e grupit kriminal të Bajrave.

Pikërisht për arrestimin e tij ka reaguar këtë të shtunë Federata Shqiptare e Futbollit. Në një deklaratë, FSHF thotë se është e prirur të besojë në pafajësinë e trajnerit, por njëkohësisht është në pritje të zbardhjes së akuzës që rëndon mbi të.

“Federata Shqiptare e Futbollit është njohur me ngjarjen e fundit të komunikuar zyrtarisht nga ana e Policisë së Shtetit, për ndalimin e Armir Grima, aktualisht trajner i ekipit kombëtar të femrave të futbollit. FSHF në qëndrimin e saj është e prirur të besojë në pafajësinë e plotë dhe mospërfshirjen te trajnerit Armir Grima në rrjetet kriminale për të cilën është ndaluar nga ana e autoriteteve të rendit. FSHF mbetet shumë sensitive karshi kësaj ngjarjeje, por njëherësh është në pritje të zbardhjes së plotë të akuzës që rëndon mbi trajnerin Grima, duke pritur verdiktin e drejtësisë”.

FSHF thotë se “një moment i tillë nuk mund të përbëjë objekt sulmi karshi Armirit, përsa kohë drejtësia nuk ka dhënë vendimin e saj, madje as nuk ka nisur ende të bëjë punën e saj”.

Në reagimin e saj, Federata Shqiptare e Futbollit e konsideron Grimën një njeri me reputacion dhe personalitet të lartë në ambientin e futbollit e më gjerë.

“FSHF do të ndjekë me shumë qetësi dhe seriozitet ecurinë e kësaj ngjarjeje, duke ftuar njëherësh të gjithë të presin mbylljen e procesit dhe të frenojnë emotivitetin e tyre momental karshi Grimas që mbetet një familjar i shkëlqyer dhe një njeri me reputacion dhe personalitet të lartë në ambjentin e futbollit shqiptar, dhe jo vetëm“.

Akuzat që rëndojnë mbi 11 të arrestuarit janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./tvklan.al