Dan Hutra, autori i masakrës së trefishtë të ndodhur këtë të mërkurë në Tiranë është arrestuar nga policia. Burime paraprake bëjnë të ditur se 40-vjeçari është arrestuar në afërsi të landfillit të Sharrës. Autoritetet policore kanë sekuestruar edhe armën e krimit.

Kjo është dhe fotoja e publikuar nga Policia e Shtetit, ku Hutra shfaqet me pranga në duar.

Këtë të mërkurë, Hutra dyshohet se vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera, në 3 vende të ndryshme të kryeqytetit.

Arma e krimit e sekuestruar nga policia

Menjëherë pas arrestimit të tij, reagoi Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili përgëzoi policinë.

Përgëzime Policisë së Shtetit për arrestimin e një krimineli të regjur, që sot mori jetë të pafajshme në Kamëz. Një ngjarje e rëndë, që mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg nga sistemi i drejtësisë në të shkuarën për skendën e tij kriminale. Edhe njëherë Policia e Shtetit dëshmoi profesionalizëm dhe bëri detyrën duke çuar prapa hekurave autorin, që nuk duhet më kurrsesi t’i shpëtojë ndëshkimit më të ashpër të drejtësisë. Ngushëllime familjeve të viktimave”, shkruajti Çuçi në rrjetet sociale.

Dinamika/ Drejtori i Policisë Tiranë: Si ndodhi vrasja e 3 grave nga Dan Hutra në 3 ngjarje të ndryshme

Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka sqaruar për mediat dinamikën e masakrës të ndodhur të mërkurën në Tiranë, ku në 3 ngjarje të ndryshme u vranë 3 gra dhe u plagosën 3 gra të tjera.

Në orën 12:15, Dan Hutra plagosi 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në rrugën “Teodor Keko” në mbikalimin e Pallatit me Shigjeta.

Pas kësaj autori u largua me makinë dhe rreth orës 12:35 ka shkuar në Kodër Kamzë në banesën e ish-bashkëjetueses, ku ka vrarë Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses), si dhe ka plagosur Elena Hysa, 35 vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj.

Pas kësaj, Dan Hutra ka lëvizur në rrugën e Arbrit, Bathore, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja” dhe rreth orës 12:48 ka ndaluar tek banesa e familjes Kurti ku ka vrarë Etleva Kurti 31 vjeç, e cila u gjet e vdekur në oborrin e banesës.

DEKLARATA E PLOTË E DREJTORIT TË POLICISË TIRANË, TONIN VOCAJ:

Jam sonte këtu, për të komunikuar me ju, në lidhje me një ngjarje të rëndë dhe të pazakontë për qytetin e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë, të kryer nga shtetasi Dan Hutra, i datëlindjes 1982, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.

Ngjarja e sotme ka dinamikën si më poshtë:

Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen M. G., 40 vjece, banuese në Astir.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.

Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Theksojmë se për ngjarjen e parë të ndodhur në rrugën “Teodor Keko” Policia e Shtetit ka marrë njoftim në orën 13:40 minuta, nga një telefonatë në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pra pas ndodhjes së dy ngjarjeve të tjera.

Me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz”, janë organizuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Drejtorive të tjera vendore, janë ngritur pika kontrolli dhe janë zhvilluar kontrolle të shumta të banesave dhe ambienteve të ndryshme ku mund të fshihej autori, pasi nga veprimet e para në vendngjarje, u bë i mundur identifikimi i tij.

Strukturat e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e  Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë kryer të gjitha veprimet e domosodoshme hetimore, si këqyrjen e vendngjarjeve, sekuestrimin e provave materiale, pyetjen e të plagosurve dhe të dëshimtarëve okularë, sekuestrimin e pamjeve filmike, si dhe janë duke aplikuar metoda speciale të hetimit. Është kryer ekspertimi balistik i gëzhojave të sekuestruara në të dy vendngjarjet dhe ka rezultuar se 12 gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz” dhe 6 gëzhojat e sekuestruara në Kamëz, janë të qitura nga e njëjta armë zjarri.

Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.

Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe të pandërprerë të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, rreth orës 18:45, në afërsi të Sharrës në Kombinat, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit Dan Hutra, së bashku me armën e krimit të tipit kallashnikov.

Policia e Shtetit falenderon qytetarët për informacionet e dhëna dhe po kështu falenderon mediat për raportimin korrekt të ngjarjes dhe të veprimeve të Policisë.

Momenti kur Dan Hutra mbërrin në Policinë e Tiranës

Ky është momenti kur 40-vjeçari Dan Hutra mbërrin në Policinë e Tiranës rreth orës 19:55 të së mërkurës.

Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga dy efektivë policie, Dan Hutra u dërgua në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë pas arrestimit në landfillin e Sharrës.

Hutra do të merret në pyetje për krimet e tij. Ai duket i qetë teksa shoqërohet brenda ambienteve të policisë.

Dan Hutra dyshohet për vrasjet e 3 grave dhe plagosjen e 3 grave të tjera në 3 ngjarje të ndryshme.

Në orën 12:15, Dan Hutra plagosi 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në rrugën “Teodor Keko” në mbikalimin e Pallatit me Shigjeta.

Pas kësaj autori u largua me makinë dhe rreth orës 12:35 ka shkuar në Kodër Kamzë në banesën e ish-bashkëjetueses, ku ka vrarë Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses), si dhe ka plagosur Elena Hysa, 35 vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj.

Pas kësaj, Dan Hutra ka lëvizur në rrugën e Arbrit, Bathore, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja” dhe rreth orës 12:48 ka ndaluar tek banesa e familjes Kurti ku ka vrarë Etleva Kurti 31 vjeç, e cila u gjet e vdekur në oborrin e banesës.

NGJARJET

Ditën e 13-të të lirisë, Dan Hutra tronditi mbarë opinionin publik.

40-vjeçari nga Kukësi dyshohet si autori i 3 vrasjeve dhe 3 plagosjeve të ndodhura këtë të mërkurë në Tiranë. Ngjarjet ndodhën në 3 vende të ndryshme, në një hark të shkurtër kohor.

I armatosur me thikë dhe armë zjarri, Dan Hutra lëvizte me makinë. Fillimisht shkoi në Astir. Atje plagosi me thikë 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi. Ishte vetë kjo e fundit e cila pranoi që ishte plagosur prej Hutrës. Për policinë, gruaja tha se me autorin e dyshuar kishte njohje të mëparshme. Këtë të mërkurë ai kishte shkuar në biznesin e saj për t’i kërkuar para, një veprim që sipas 40-vjeçares, e bënte herë pas herë. Sot Marjana refuzoi, ndaj dhe Hutra e plagosi me thikë.  

Hutra nuk u ndal, por me makinë shkoi drejt Paskuqanit, aty ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij, me të cilën ka edhe një fëmijë të mitur. Aty kreu masakrën. Vrau 2 gra dhe plagosi 2 të tjera. Viktima janë Mevlute Hysa 30-vjeçe, motra e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafku 30-vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses. Të plagosura mbetën Elena Hysa, 35-vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj. Të dyja gratë ndodhen në spital dhe gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.

Pasi u largua nga shtëpia e familjes Hysa, Dan Hutra u nis drejt objektivit të radhës. Shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit. Ai e ekzekutoi 31-vjeçaren në oborrin e shtëpisë dhe u largua po me makinë. Të renë dyshohet se e vrau për t’u hakmarrë ndaj vëllai të saj, me të cilin kishte pasur konflikt në burg. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i dënuar përjetë për vrasjen e një çifti në Kamzë disa vite më parë.

Me një skedë të pasur kriminale, Dan Hutra krimin e parë e bëri kur ishte 20 vjeç. Në atë kohë mbajti peng nënën e kunatës së tij dhe përdhunoi kunatën tjetër, krime për të cilat u dënuar vetëm me 3 vjet burg.

Pasi doli nga burgu u fejua me një vajzë 22-vjeçare, të cilën e vrau në Dhjetor të 2007. Dafina Havalja u vra në shtëpinë ku bashkëjetonte me Hutrën, në Tiranë. Dyshonte se e tradhtonte, e për këtë arsye e vrau të renë duke e goditur me thikë në zemër. Për këtë ngjarje të rëndë u dënua me 24 vjet, por duke qenë se gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar, ai qëndroi në burg vetëm 16 vjet.

Në burg u rikthye më 16 Qershor të vitit të shkuar, për dhunë në familje. Do të kishte qenë ende në burg, nëse ish-bashkëshortja e tij Elena Hysa, e cila mbeti e plagosur këtë të mërkurë në masakrën që ndodhi në familjen e saj, nuk do të kishte tërhequr kallëzimin. Me Elenën kishte pasur konflikte të vazhdueshme, pasi i kërkonte asaj një shumë parash që pretendonte se i kishte shpenzuar më parë me të. Mbetet e paqartë përse e tërhoqi kallëzimin 35-vjeçarja Hysa./tvklan.al