10 muaj nga nisja e hetimeve për abuzimet me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, njohur ndryshe si SASPAC, ish-drejtuesi i saj, Ilir Beqaj, u arrestua këtë të enjte.

Masa ndaj tij u ekzekutua në orët e para të mëngjesit, teksa ai u transferua pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, siç duket edhe në këto pamje për t’u dërguar më pas pranë Bllokut të Sigurisë ku pret përballjen me gjykatën.

Bashkë me Beqajn në qeli përfunduan për këtë dosje edhe Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nukolla, teksa nën hetim me masa më të lehta janë edhe 4 persona të tjerë.

Ata po hetohen për akuzat e korrupsionit, mosdeklarimit të pasurisë, mashtrimit dhe shkeljes së barazisë në tendera.

SPAK thotë në një njoftim zyrtar, se ish-drejtuesi i SASPAC, agjencisë që merrej me koordinimin e fondeve të BE, ka vepruar si urdhërues në të gjithë skemën e abuzimit në bashkëpunim të ngushtë me shtetasin Ermal Kurtulaj, ky i fundit vartës i Beqajt.

Hetimet vijon Prokuroria e Posaçme treguan se 8 procedura prokurorimi për organizim konferencash të zhvilluara gjatë 2023, janë dhënë në shkelje.

“Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që ju janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumente këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës”.

Në një rast për shërbimi për një konferencë, prokuruar me vlerë 125 mijë Euro rezultoi se nga kompania fituese ishte ofruar vetëm darka në vlerën 4 milionë Lekë. Kjo darkë ishte shtruar në restorantin që drejtohej në hije nga ish-ministri që ndodhet në zonën e kalasë së Tiranës.

Shërbimet e prokuruara në disa raste jepeshin vetë nga personat nën hetim dhe më pas faturat i lëshonin subjekte të tjera fiktivisht.

Hetimi gjithashtu tregoi se nëpërmjet restorant “Gzonës” e drejtuar në mënyrë të fshehur nga Beqaj, subjekte private kanë dhënë para në formën e blerjes të konsideruar ryshfet nga Prokuroria.

SPAK thotë se ka dokumentuar që Ilir Beqaj ka fshehur pronësinë e këtij restoranti dhe të tjera pasuri.

“Personi nën hetim Iilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un. Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim Ermal Kurtulaj”.

SPAK njoftoi se gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47.000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për  hetimin.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara në datën 28 Dhjetor të vitit 2023.

SPAK e ka vënë nën hetim ish-ministrin Beqaj edhe për koncesionin e sterilizimit.

Tv Klan