Media e njohur amerikane Conde Nast Traveller në artikullin kushtuar Shqipërisë, fton lexuesin e saj t’i kalojnë këto ditë të nxehta të verës në plazhet e Sarandës dhe të Himarës. Ajo e cilëson Shqipërinë, si vendin sekret më i ruajtur i Evropës dhe i paprekur nga turizmi masiv.

Vija bregdetare e shtrirë përgjatë 450 kilometrave në zonën e jugut të Shqipërisë ofron për udhëtarët thesaret e antikitetit në Butrint, fshatrat piktoreske, mrekullitë natyrore, por mbi të gjitha dhe plazhet e bukura të fshehura dhe qendrat urbane plot me gjallëri.

Në këtë artikull theksohet se në rivierën shqiptare pushuesit janë te justifikuar që të mos largohen kurrë në kërkim të aventurave të tjera përtej bregdetit të saj.

Në ndryshim nga brigjet e mbushura me njerëz dhe gurë të Sarandës është plazhi i Gjipesë, i votuar së fundmi si një nga 50 plazhet më të mira në botë. 

I vendosur midis Himarës dhe Dhërmiut, kjo pjesë me rërë të bardhë është e rrethuar nga shkëmbinj të lartë e të thyer, kontrast që shfaq bukurinë magjepsëse. Sugjerim janë edhe tre ishujt e Ksamilit me pamjet mbresëlënëse, duke konkurruar dhe Mikonosin e Greqisë.

Ndër vende të tjera për t’u vizituar në Shqipëri, media amerikane këshillon Tiranën, Beratin dhe Gjirokastrën. Të dashuruarit pas natyrës mund të shijojnë Alpet shqiptare, teksa nuk lihen pa përmendur gatimet tradicionale dhe mikpritja e veçantë e shqiptarëve.

Tv Klan