Klemend Balili zyrtarisht është në kërkim policor, pas mbërritjes së urdhër-arrestit ndërkombëtar nga Interpol Athina.

Dy struktura të njësisë operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë janë angazhuar për identifikimin e vendndodhjes dhe kapjen 44 –vjeçarit, i cilësuar nga mediat greke si baroni i drogës.

Burime të policisë i thanë Televizionit Klan se rreth vendndodhjes së Balilit po hetohet në tre pista.

Një informacion i mbërritur mbrëmjen e së hënës në polici, bënte me dije se Balili fshihet në periferi të Tiranës në një banesë private të një të njohuri të tij.

Pista e dytë është ajo e largimit në drejtim të Maqedonisë nëpërmjet kufirit të gjelbër për të cilën po shkëmbehet informacion me palën maqedonase.

Ndërsa një tjetër mënyrë largimi ku po hetohet është përdorimi i dokumenteve greke me identitet të rregullt dhe foto të falsifikuara të Balilit e përdorur për të kaluar në mënyrë legale pikën kufitare.

Klemend Balili u zhduk një ditë pasi nga zyra e tij në Drejtorinë e Transportit të Sarandës deklaroi se ai nuk ishte i përfshirë në trafikun e 750 kilogramëve marijuane të kapur në Zakinthos të Greqisë. Operacioni kundër rrjetit të narkotrafikut çoi në arrestimin e 15 personave në Greqi dhe 2 të tjerëve në Belgjikë.

Tv Klan