Një ditë pas grabitjes së ndodhur në Aeroportin e Rinasit, ku persona të armatosur e të maskuar morën miliona euro ka reaguar kompania Austrian Airlines. E cituar në mediat ndërkombëtare, zëdhënësja e kompanisë Tanja Gruber tha se si masë sigurie, nuk do të ketë më transferta parash nga Tirana për në Vjenë.

Autorët i grabitën paratë në kohën kur ato po ngarkoheshin në avionin e kësaj kompanie. Grabitja ndodhi në sytë e qindra pasagjerëve që ndodheshin në avionin e Austrian Airlines, të cilët po prisnin për t’u ngritur në fluturim.

Pasagjerët sapo kishin hipur. Në asnjë moment nuk pati asnjë rrezik për stafin dhe pasagjerët”

, saktësoi zëdhënësja e kompanisë ajrore. Nisja e avionit u vonua me rreth 3 orë.

Për ngjarjen janë shoqëruar të paktën 40 persona, ndërsa janë lëshuar edhe 4 urdhër ndalime.

Grabitja e armatosur ndodhi rreth orës 15:00 të së martës. Autorët u futën me një furgon të bardhë në pistën e aeroportit, një automjet me targa false dhe me mbishkrimin “Kontrolli Tatimor”. Automjeti u gjet më vonë i djegur nga policia.

Gjatë kohës që po largoheshin me paratë e vjedhura, shifra e saktë e të cilave nuk është bërë zyrtarisht e ditur, autorët u përplasën me policinë. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë një person. Ai është Admir Murataj, organizator i të paktën 3 grabitjeve të tjera të parave të bankave, në 2015-n dhe 2017-n.

Ka qenë bashkëshortja e Muratajt, e cila konfirmoi identitetin e tij mëngjesin e kësaj të mërkure në Morgun e kryeqytetit.

Nga burime për

tvklan.al

mësohet se një ditë më parë, Policia Shqiptare dërgoi drejt Greqisë shenjat e gishtërinjve të Muratajt për ekspertizë. Mësohet se shenjat e gishtërinjve përputheshin pothuajse plotësisht, por ajo që nuk përputhej ishte mosha.

Në foto, grabitësi i vrarë

Admir Murataj është një personazh i njohur për autoritetet shqiptare, por dhe greke.

I konsideruar si organizator dhe koka e bandës së grabitësve të dënuar pak kohë më parë për 3 grabitje ku u morën shumë të mëdha parash, Murataj është person i shpallur në kërkim prej rreth 2 vjetësh. Ndërsa në 2013-n ai u arratis sëbashku me 10 të burgosur të tjerë të rrezikshëm nga burgu grek i Trikallës.

Ndërkohë, grabitja e ndodhur ditën e djeshme, ka gjetur një pasqyrim të gjerë në mediat ndërkombëtare. New York Times, Washington Post, The Guardian, e shumë media të tjera kanë shkruar për ngjarjen në fjalë.

/tvklan.al